Jeyhun Aliyev
24 Janar 2019•Përditësim: 24 Janar 2019
MOSKË (AA) – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse ka dënuar vendet perëndimore për "ndërhyrje në punët e brendshme të Venezuelës", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ngjarjet në Venezuelë tregojnë qartë se Perëndimi progresiv me zgjedhjen e autoriteteve përbën një kërcënim të madh për të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin dhe normat e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve", ka thënë Maria Zakharova në një postim në median sociale.
Venezuela është përfshirë nga protesta masive të udhëhequra nga opozita që mban shumicën në parlamentin e vendit. Presidenti i SHBA-së Donald Trump mbështeti opozitën e Venezuelës dhe udhëheqësin e saj, Juan Guaid, i cili shpalli veten si kreu i përkohshëm i shtetit.
Presidenti venezuelas Nicolas Maduro njoftoi mbrëmë pezullimin e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në, duke u caktuar një afat përfundimtar diplomatëve amerikanë për t'u larguar brenda 72 orësh nga ky shtet i Amerikës Latine.
Përveç SHBA-së, opozitën venezuelase për marrjen e pushtetit gjithashtu e mbështeti Brazili, Argjentina, Kanada, Kili, Kolumbia, Kostarika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja dhe Paraguaji. Nga ana tjetër, Turqia, Bolivia, Meksika dhe disa vende të tjera vazhdojnë të njohin legjitimitetin dhe mbështesin qeverinë e Maduros.
Maduro me muaj të tërë ka akuzuar Washingtonin se zhvillon një luftë ekonomike dhe fushatë politike kundër tij dhe Venezuelës.
Protestat në Venezuelë filluan më 10 janar, në ditën kur Maduro dha betimin dhe filloi mandatin e dytë të kreut të shtetit.