Bota

Ruçi uron kryeparlamentarin e Turqisë për Ditën e Republikës

Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, kryeparamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Şentop

Fatjon Cuka   | 29.10.2020
Ruçi uron kryeparlamentarin e Turqisë për Ditën e Republikës Foto: Arhiv / AA

Tiranë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar homologun e tij turk, Mustafa Şentop, me rastin e 97-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency(AA).

Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, Ruçi i ka dërguar një letër urimi kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Şentop, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

“Shpallja rreth një shekull më parë, më 29 tetor të vitit 1923, e Republikës së Turqisë prej burrit të madh të shtetit, Mustafa Qemal Ataturk, ishte një sukses historik i Turqisë. Si Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, Ataturk hodhi themelet për një shtet të pavarur, laik, modern dhe krijoi premisat për zhvillimin e prirjeve liberale e demokratike në Turqi", theksohet në letrën e Ruçit.

Ruçi thekson më tej se populli shqiptar dhe Kuvendi i Shqipërisë ndjekin me gëzim arritjet e Turqisë mike, partneres së Shqipërisë në NATO, dhe "urojnë avancim të mëtejshëm në rrugën e progresit, mirëqenies e demokracisë si dhe mirëpresin rritjen e kontributit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë".

"Themelimi i Republikës së Turqisë kremtohet në një kohë të vështirë për Turqinë, Shqipërinë, rajonin, Evropën dhe botën, betejën me pandeminë e COVID-19. Siç edhe kemi pasur kënaqësinë të diskutojmë, shpresojmë dhe urojmë që vendet tona dhe popujt e tjerë të planetit, ta fitojnë këtë betejë të vështirë dhe të rikthehen në jetën normale", shprehet kryeparlamentari Ruçi në letrën drejtuar homologut turk.

"Gjithashtu, kam kënaqësinë të konstatoj se Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë kanë rifilluar dhe do të vazhdojnë të intensifikojnë bashkëpunimin e shkëlqyer midis tyre”, shkruan Ruçi.

Shpallja zyrtare e Republikës së Turqisë nga Ataturk u bë më 29 tetor të vitit 1923 kur u shpallën emri i kombit dhe statusi i saj si republikë. Në një votim që u zhvillua më pas në Asamblenë e Madhe Kombëtare, Ataturku, një burrështetas revolucionar, me një votim unanim u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Turqisë. Që atëherë, vendi çdo vit më 29 tetor feston Ditën e Republikës.

Me rastin e 29 Tetorit, në Turqi dhe në vende të tjera organizohen aktivitete dhe ceremoni të ndryshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın