Mehmet Nuri Uçar
13 Tetor 2023•Përditësim: 16 Tetor 2023
Ushtria izraelite ka njoftuar edhe 12 emra të ushtarëve të tjerë që janë vrarë në konfliktet që vazhdojnë me grupet palestineze, transmeton Anadolu.
"Familjeve u është njoftuar lajmi për vdekjen e 12 ushtarëve, duke përfshirë një komandant i nivelit të lartë nga divizioni Judea dhe Samaria që shërben në Bregun Perëndimor", tha ushtria izraelite.
Sipas televizionit izraelit 'Channel 12', së bashku me shifrat e fundit, përfshirë edhe katër në kufirin me Libanin, është rritur në 246 numri i ushtarëve izraelitë që janë vrarë që nga 7 tetori.
Konflikti Izraeli-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar "Tufani i Aksasë" kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa, ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite, ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.300 të tjerë.
Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.537 palestinezë, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra, ndërsa janë plagosur 6.612 të tjerë.
Gjithashtu në sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 36 palestinezë dhe janë plagosur rreth 650 të tjerë.