Rama: Bashkimi Evropian është ëndrra dhe sfida jonë
Gjatë fjalës në konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel, kryeministri Rama tha se Evropa me vlerën e parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, sigurie dhe prosperiteti

Tiranë
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar edhe fillimin zyrtarisht të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës në konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel, kryeministri Rama tha se Evropa me vlerën e parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, sigurie dhe prosperiteti.
"Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian, është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë, është fati ynë. Një Ballkan i Hapur i katër lirive të BE-së gjithashtu. Duke filluar nga sot bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi ndjekur deri tani është vetëm fundi i fillimit", u shpreh Rama.
Rama shtoi se Shqipëria ka një histori krenare të përafrimit 100 për qind me deklaratat e BE-së për politikën e jashtme të përbashkët të sigurisë.
Kryeministri i Shqipërisë shtoi se anëtarësimi në BE do të fokusohet në nevojën për të përmirësuar kohezionin social dhe ekonomik brenda vendit.
Pas konferencës së parë ndërqeveritare, Kryeministri Rama, komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jan Lipavsky, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Në fjalën e tij në konferencë, Rama tha se negociatat janë në vetvete një instrument transformimi.
Në fjalën e tij të shkurtër, Rama tha se "besoj që flet fakti që negociatat për anëtarësim janë çelur zyrtarisht".
"Arsyeja pse i kemi kërkuar me aq ngulm natyrisht ka të bëjë me objektivin për të shkuar në anëtarësimin e plotë, por ka të bëjë njëkohësisht me faktin që negociatat janë një transferim dijesh i pazëvendësueshëm", u shpreh më tej Rama.
"Sot shënohet fillimi i një faze të re dhe shumë të rëndësishme"
Komisioneri Varhelyi, duke iu referuar hapjes së negociatave, theksoi se sot shënohet rrugëtimi i një fillimi të ri.
"Sot shënohet fillimi i një faze të re dhe shumë të rëndësishme mes marrëdhënies tonë. Jam i kënaqur që kemi hapur negociatat me Shqipërinë. Ky vendim historik sot dërgon një sinjal të fortë drejt Ballkanit Perëndimor, konfirmon rëndësinë e politikës së zgjerimit të BE-së, që është më e rëndësishme se kurrë për kontekstin gjeopolitik", u shpreh Varhelyi.
"Mesazhi im drejt qytetarëve të Shqipërisë është tejet i thjeshtë: Ne duam që ju të jeni pjesë e familjes evropiane", shtoi komisioneri evropian.
Varhelyi tha se vendimi i sotëm dërgon një sinjal politik të fuqishëm për angazhimin e BE-së drejt procesit të antarësimit.
Ministri çek, Lipavsky, vend i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. "Jam i gëzuar që ky çast historik po zhvillohet gjatë presidencës çeke të Këshillit", tha Lipavsky.
Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.