Bota

Qeveria e Venezuelës nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Barbados

Rodriguez tha se qeveria nuk do të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara pasi Juan Guaido, i cili ka deklaruar veten si president i përkohshëm, ka mbështetur sanksionet e SHBA-së

Muhammed Emin Canik  | 08.08.2019 - Përdıtësım : 09.08.2019
Qeveria e Venezuelës nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Barbados

Buenos Aires

Në Venezuelë qeveria njoftoi se nuk do të marrë pjesë në bisedimet me opozitën në Barbados, transmeton Anadolu Agency (AA).

Jorge Rodriguez, nënpresidenti i Venezuelës dhe kryenegociatori i qeverisë, në një deklaratë nëpërmjet llogarisë në rrjetin social tha se qeveria nuk do të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara për t'u mbajtur në Barbados më 8-9 gusht, pasi kryetari i Asamblesë Kombëtare të opozitës, Juan Guaido, i cili ka deklaruar veten si president i përkohshëm, ka mbështetur sanksionet e SHBA-ve.

"Presidenti Nicolas Maduro ka vendosur të mos e dërgojë delegacionin qeveritar në Barbados për shkak të sulmeve serioze, të ashpra dhe tinëzare që administrata Trump po zbaton vazhdimisht kundër Venezuelës, që përfshijnë bllokimin në mënyrë të paligjshëm të aktiviteteve tona ekonomike, tregtare dhe financiare", thuhet më tej në deklaratë.

Ndër të tjera në deklaratën ku përmendet edhe mbështetja e Guaido-s për sanksionet e SHBA-ve thuhet se, "Si Venezuelianë, ne u zemëruam thellësisht që Juan Guaido, udhëheqësi i delegacionit të opozitës, festoi, inkurajoi dhe mbështeti këto veprime të dëmshme kundër sovranitetit të vendit tonë. Prandaj, vendosëm të mos marrim pjesë në bisedimet e planifikuara për 8-9 gusht".

- Ngrirja e pasurive të Venezuelës në SHBA

Të gjitha pasuritë e Venezuelës në SHBA u ngrinë pas një dekreti të publikuar dje me nënshkrimin nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në dekretin e publikuar me titull "Ngrirja e Aseteve të Shtetit të Venezuelës", thuhet se "janë bllokuar të gjitha pasuritë e Venezuelës në SHBA duke përfshirë edhe interesat ndaj këtyre pasurive; këto nuk mund të transferohen, eksportohen, tërhiqen ose tregtohen".

Pas ngrirjes së të gjitha pasurive të Venezuelës në SHBA, Guaido në një deklaratë mbrojti sanksionet e vendosura kundër qeverisë Maduro dhe pretendoi se këto sanksione synonin "mbrojtjen e venezuelianëve".

Në Venezuelë, ku për një kohë të gjatë po përjetohet një krizë e madhe politike dhe e cila ka kaluar një përpjekje për grusht shteti, qeveria dhe opozita muajin e kaluar filluan bisedimet në Barbados nën ndërmjetësimin e Norvegjisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.