Sinan Doğan
21 qershor 2023•Përditësim: 21 qershor 2023
Të paktën 41 të burgosura kanë humbur jetën në trazirat që shpërthyen në një burg të grave të sigurisë së lartë në Honduras, transmeton Anadolu.
Gazeta lokale "La Prensa" shkroi se trazirat shpërthyen në burgun e grave në qytetin Tamara, pranë Tegucigalpa, kryeqyteti i Hondurasit.
I njëjti burim raporton se 25 të burgosura kanë vdekur nga djegia ndërsa 16 janë vrarë me armë.
Përleshjet në burg shpërthyen midis bandave famëkeqe Mara Salvatrucha dhe Barrio 18, ndërkaq forcat e sigurisë vendosën masa të rrepta sigurie.
Në një postim në llogarinë e saj në Twitter, zëvendësministrja e Sigurisë, Julissa Villanueva deklaroi se në burg është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe se është urdhëruar ndërhyrja më e fortë.
Në të njëjtën kohë, mediat lokale raportojnë se ka pasur një konflikt dhe ndërhyrje të policisë në burgun Illama, i cili ndodhet rreth 300 kilometra nga Tegucigalpa.