Hakan Ceyhan Aydoğan
25 Dhjetor 2016•Përditësim: 25 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) - Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar listën e emrave të 92 personave që ndodheshin në bordin e avionit Tu-154 që është rrëzuar mbi Detin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ministrisë, mësohet se në avion ndodheshin 64 pjesëtarë të Ansamblit Aleksandrov, i njohur si Kori i Ushtrisë së Kuqe, 9 gazetarë, 8 ushtarë, 1 përfaqësues i një organizate të shoqërisë civile dhe 2 zyrtarë të ministrisë. Të gjithë 92 njerëzit në bord, përfshirë edhe tetë të ekuipazhit llogariten se kanë humbur jetën.
Ndërsa bëhet e ditur se shumë anije dhe helikopterë janë duke vazhduar punimet e kërkim-shpëtimit në rajonin ku u rrëzua avioni.
Sipas lajmeve në shtypin rus njoftohet se në Detin e Zi është gjetur të paktën një trup i pajetë i një personi.
Avioni i tipit Tupolev Tu-154 i nisur nga Moska pas furnizimit me karburant në Soçi planifikohej të fluturonte drejt Sirisë. Avioni transportonte anëtarët e korit të cilët do të jepnin koncert për fundin e vitit në bazën ruse Himejmim në Siri. Avioni Tu-154 u rrëzua mbi Detin e Zi pak kohë pas nisjes nga aeroporti i Soçit.
Rusia përjashton terrorizmin si shkak për rrëzimin e avionit
Kreu i Departamentit për Mbrojtjen në Dhomën e Lartë të Parlamentit të Rusisë, Viktor Ozerov hodhi poshtë mundësinë e një sulmi të mundshëm terrorist si shkak për rrëzimin e avionit rus në Detin e Zi, për të shtuar se rrëzimi mund të ketë ndodhur nga një defekt teknik ose nga ndonjë gabim i ekuipazhit.
Ozerov tha se “hedh poshtë” terrorizmin si shkaktar për tragjedinë, pasi siç tha, avioni ishte nën komandën e ushtrisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte informuar për tragjedinë për të shtuar se operacionin e shpëtimit e ka drejtuar personalisht ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.