Putini mbërrin në Indi në vizitën e parë që nga viti 2021
Mbrojtja, energjia, bashkëpunimi bërthamor, mekanizmat e pagesave, blloku BRICS ku të dyja vendet janë anëtare themeluese si dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait janë ndër çështjet që me sa duket do të diskutohen
Stamboll/New Delhi
Presidenti rus, Vladimir Putin ka filluar vizitën e tij të parë në Indi që nga viti 2021, me kryeministri Narendra Modi që e priti atë në aeroport, transmeton Anadolu.
Vizita zhvillohet teksa Putini dhe Modi pritet të bashkë-kryesojnë nesër në New Delhi samitin e 23-të vjetor Indi-Rusi.
Mbrojtja, energjia, bashkëpunimi bërthamor, mekanizmat e pagesave, blloku BRICS ku të dyja vendet janë anëtare themeluese, si dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait janë ndër çështjet që me sa duket do të diskutohen.
Përpara bisedimeve të nivelit të lartë, Modi raportohet se do të presë Putinin për një darkë private në mbrëmje.
Vizita e Putinit, gjithashtu e para që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, vjen teksa New Delhi përballet me presion në rritje nga SHBA-ja që të ndalojë blerjet e naftës ruse.
SHBA-ja ka vendosur një tarifë prej 50 për qind për importet indiane, pjesërisht për shkak të blerjes së naftës ruse në kushtet e vazhdimit të luftës.
Putini dhe Modi do t'i drejtohen një forumi të biznesit, teksa India dhe Rusia synojnë të rrisin vëllimin aktual të tregtisë dypalëshe prej 68.7 miliardë dollarësh, gati gjashtë herë më i lartë se para pandemisë, në 100 miliardë dollarë.
Putini shoqërohet nga një grup i madh biznesmenësh.
"Kjo vizitë do të jetë një hap i madh drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik", tha për Anadolu një burim i qeverisë indiane.
New Delhi, tha burimi, pret të përmirësojë deficitin tregtar me Rusinë pasi "po shqyrtohen disa mundësi për të rritur eksportet indiane drejt Rusisë". Burimi përmendi farmaceutikën, industrinë automobilistike dhe produktet bujqësore, përfshirë ato detare, ndër fushat ku India synon të rrisë eksportet.
Dy palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fusha si transporti detar, shëndetësia, plehrat kimike dhe lidhjet infrastrukturore.
Putini do të pritet nga homologia e tij indiane, Droupadi Murmu, për një darkë presidenciale para largimit të tij nga India nesër vonë.
