Elena Teslova
09 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Mes sanksioneve perëndimore në rritje, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar qeverinë të hartojë një listë të importeve që do të ndalohen ose kufizohen në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një dekret për masat ekonomike që do të jenë në fuqi të paktën deri në fund të vitit, Putin u dha dy ditë afat zyrtarëve për të plotësuar listën e lëndëve të para dhe produkteve, si dhe një listë të vendeve për të cilat do të zbatohen kufizimet.
Sot më herët, Rusia publikoi një listë të vendeve që “ndërmarrin veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve rusë”, pasi vendosën sanksione të rënda ekonomike për luftën në Ukrainë.
Më vonë, zv/kryeministri Alexander Noval tha se pasi Bashkimi Evropian (BE) ndaloi certifikimin e gazsjellësit ‘Nord Strem 2’, Moska ka të drejtë të ndërmarrë masa reciproke dhe të ndalojë pompimin e gazit përmes tubacionit ‘Nord Stream 1’.
Novak theksoi se pavarësisht sanksioneve ekonomike, Rusia vazhdon të përmbushë detyrimet e saj sipas kontratave të nënshkruara për furnizimin e gazit, naftës dhe produkteve të naftës.
Megjithatë, shtoi ai, deklaratat e zyrtarëve të BE-së për të “hequr qafe” naftën dhe gazin rus janë një shqetësim i madh.
Novak po ashtu pretendoi se Ukraina mund të ndërmarra provokime me flamur të rremë kundër sistemeve të transportit të gazit nga Rusia në Ukrainë.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Sipas shifrave të OKB-së, që nga fillimi i luftës në Ukrainë të paktën 474 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 850 të tjerë janë plagosur, por theksohet se kushtet në terren e bëjnë të vështirë verifikimin e shifrave të vërteta.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se rreth 2 milionë ukrainasë kanë ikur në vendet fqinje.