Ivana Ramadanova
14 Prill 2016•Përditësim: 15 Prill 2016
SHKUP (АА) - Prokuroria Speciale Publike (PSP) në Maqedoni në konferencën e sotme për media njoftoi hetimin e ri, i cili i referohet transportit të nxënësve në Komunën e Manastirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas prokurores Speciale Publike, Katica Janeva, pavarësisht nga të gjitha ngjarjet në dy ditët e fundit, PSP do të vazhdojë me punën e saj.
"Plotësisht jam e bindur dhe besoj se drejtësia do të fitojë. Bisedat nga përgjimet e paligjshme të komunikimit të cilat u publikuan vitin e kaluar dhe publikimi për korrupsion çoi në Marrëveshjen e Përzhinës dhe Parlamenti miratoi masat e nevojshme ligjore dhe financiare për krijimin e Zyrës së Prokurorit Special Publik. Pavarësisht ngjarjeve që ndodhën në dy ditët e fundit, ne do të vazhdojmë me punë në përputhje me Ligjet për prokurorinë publike për ndjekje penale dhe veprat penale dhe të cilat dalin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme dhe dispozitave tjera ligjore", tha Janeva.
Lëndën e re e prezantoi prokurorja Fatime Fetai e cila theksoi se në rastin "Transporter" është përfshirë dhe kryetari i Komunës së Manastirit Vlladimir Taleski, duke shtuar se lënda është marrë nga Prokuroria Publike Themelore - Manastir dhe nga materialet e marra PSP ka prova të besueshme se Komuna e Manastirit nëpërmjet kryetarit të saj ka paguar transport më të shtrenjtë nga ai në Tokio.
"Në fakt, pas formimit të juridiksionit nga kjo Prokurori, duke u bazuar në bisedat e përgjimeve të paligjshme, për të cilat me siguri ju kujtohen dy ministrat, ku njëri prej tyre ende është ministër i Financave, thekson aktivitete korruptive të kryetarit të komunës së Manastirit. PSP ka ndërmarrë disa veprime hetimore në drejtim të shqyrtimit të tyre. Do të shihni se në këtë rast ministri i Financave nuk ka gabuar në vlerësimet e tij", ka thënë Fetai, e cila një pjesë të prezantimit e bëri në gjuhën turke.
Prokurorja Speciale, Lençe Ristovska potencoi se PSP nuk i ka dhënë të dhëna presidentit Ivanov në lidhje me personat ndaj të cilëve janë ngritur procedura. Edhe PSP nuk e ka të qartë se si kanë arritur të dhënat tek presidenti sepse shumica e individëve të cilët janë amnistuar asnjëherë nuk janë përmendur publikisht.
"Me këtë rast, në emër të prokurorëve publik të kësaj Prokurorie Publike ju informoj se prokurorët publikë nuk e pranojnë amnistinë e presidentit dhe se me këtë akt të Presidentit është dëmtuar reputacioni i prokurorëve publik të PSP-së", tha Ristovska.
Në konferencën e sotme për media të Prokurorisë Speciale Publike të pranishëm ishin një numër i madh i përfaqësuesve të huaja diplomatike në vend, në mesin e të cilëve edhe ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë, Kristine Althauzer, Charles Garrett dhe Ernesto Bele.