Sibel Vezaj
31 Tetor 2016•Përditësim: 31 Tetor 2016
PRISHTINË (AA)- Misioni i OSBE-së në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, në Prishtinë organizon konferencën me temë “Përforcimi i performancës së institucioneve të pavarura: Roli i Parlamentit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e kësaj konference të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathuu si dhe pjesëmarrësit nga parlamentet, institucionet e pavarura dhe shoqëritë civile përkatëse nga Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi, Tirana dhe Zagrebi.
Gjatë fjalimit të tij, kryeparlamentari Veseli u shpreh se tema e kësaj konference ka të bëjë drejtpërdrejtë me thelbin e demokracisë, duke theksuar se demokracia funksionon mbi bazën e ndarjes së pushteteve themelore dhe të institucioneve të pavarura. “Pavarësia e tyre nuk nënkupton papërgjegjshmëri, por mbrojtje nga ndikimi politik dhe llogaridhënie përmes dhe para ligjit”, tha Veseli.
Sa i përket kornizës legjislative të institucioneve të pavarura, Veseli theksoi se në këtë drejtim janë shënuar hapa të rëndësishëm, por sipas tij, ende mbesin shumë sfida që kërkojnë zgjidhje, si çështja e financimit dhe çështja e emërimeve në pozita drejtuese të institucioneve të pavarura.
“Kuvendi i Kosovës ka krijuar një kornizë legjislative përmes së cilës garantohen standardet që kërkohen në procesin e këtyre emërimeve, transparencën, respektimin e merituar profesional, etj. Por si duket kjo ende nuk mjafton. Një kohë të gjatë Kosova kritikohet për politizim të institucioneve të pavarura”, tha Veseli.
Ai së fundi theksoi se nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare do të sigurohet një proces i përzgjedhjes transparente, profesionale dhe politikisht të pandikuar të bordeve drejtuese në institucionet e pavarura.
Në anën tjetër shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathuu gjatë kësaj konference foli për punën e OSBE-së në Kosovë dhe në rajon, duke theksuar ndihmën e tyre në përforcimin e institucioneve në kuptimin e buxhetimit, llogaridhënies, përfaqësimit dhe të formës së mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Këtu në Kosovë, puna e Misionit të OSBE-së ka qenë shumë e gjerë. Jemi angazhuar që nga viti 1999 në implementimin e mandatit tonë institucional që rrjedh nga Rezoluta e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara 1244. Kemi ndihmuar në themelimin dhe vendosjen e Kuvendit, kemi punuar me organizatat e shoqërisë civile dhe kemi kontribuar drejtpërdrejtë në themelimin e një numri institucionesh të pavarura këtu në Kosovë”, tha Brathuu.
Duke vënë në dukje se tanimë faza e ndërtimit të këtyre institucioneve ka përfunduar, Brathuu theksoi se misioni i OSBE-së tani po angazhohet në përforcimin e ofrimit të shërbimeve të tyre.
Gjatë kësaj konference dyditore, pjesëmarrësit do të shkëmbejnë mendimet dhe përvojat e tyre rreth mbikëqyrjes parlamentare të agjencive kundër korrupsionit, institucioneve të avokatit të popullit dhe zyrave të auditorëve të përgjithshëm.