Ali H. M.Abo Rezeg
10 Nëntor 2017•Përditësim: 10 Nëntor 2017
BEJRUT (AA) - Presidenti libanez, Michel Aoun, i kërkoi të premten një diplomati saudit të lejojnë kryeministrin e dorëhequr libanez, Saad Hariri, të kthehet në vendin e tij nga Arabia Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e presidentit Aoun, ai i ka thënë të ngarkuarit me punë në ambasadën saudite në Bejrut, Velid al-Buhari, se rrethanat e dorëheqjes së Haririt javën e kaluar nga Arabia Saudite janë "të papranueshme".
"Ne kërkojmë kthimin e tij", ka thënë Aoun drejtuar al-Buharit, duke iu referuar qëndrimit të gjatë të Haririt në Arabinë Saudite, nga e cila ai duket se nuk është kthyer ende.
Më pas, duke folur në kuadër të një takimi të Grupit Ndërkombëtar të Mbështejtes për Libanin, që përbëhet nga ambasadorët e huaj, Aoun ka shpalosur qëndrimin e Libanit lidhur me dorëheqjen e papritur të Haririt javën e kaluar dhe mungesën e tij të vazhdueshme.
Sipas Aoun, Libani është në pritje të kthimit të Haririt, me shpresën e "sqarimit të arsyeve për shpalljen e papritur të dorëheqjes".
Presidenti libanez gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij rreth "asaj që është raportuar lidhur me rrethanat që kanë të bëjnë me statusin aktual të Haririt".
Megjithatë, Aoun i ka siguruar bashkëbiseduesit e tij, duke theksuar "solidaritetin e liderëve libanezë në këtë fazë të ndjeshme të historisë së Libanit dhe gatishmërinë e tyre për të promovuar unitetin kombëtar".
El-Buhari, nga ana e tij, nuk ka dhënë asnjë deklaratë para largimit nga pallati presidencial në Bejrut, ku është mbajtur takimi i së premtes.
Ndryshe, situata u tensionua pasi kryeministri libanez Saad Hariri shpalli dorëheqjen e tij teksa gjendej në kryeqytetin saudit Riad.
Në adresimin e tij të dorëheqjes, Hariri kritikoi Iranin dhe Hezbollahun, duke i akuzuar ata për nxitje të "kryengritjes" në rajon dhe për ndërhyrje në çështjet arabe.
Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nga ana e tij, ka thënë se nuk ka "arsye" për Haririn të japë dorëheqje, duke e akuzuar Arabinë Saudite se e ka detyruar atë të bëjë një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, Ministri saudit i Shtetit për Çështjet e Gjirit, Thamer al-Sabhan, ka hedhur poshtë pretendimet se Rijadi e ka detyruar Haririn të japë dorëheqje, duke thënë se këto janë "gënjeshtra" të shpërndara nga Hezbollahu dhe aleatët e tij.
Al-Sabhan paralajmëroi se pasojat e veprimeve të Hezbollahut do të jenë "shumë të rënda për Libanin".
Në ndërkohë, Arabia Saudite, Kuvajti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar nga shtetasit e tyre që gjenden në Liban ta lëshojnë vendin.
Hariri u emërua kryeministër libanez në fund të vitit të kaluar. Para dorëheqjes së të shtunës, ai kishte udhëhequr një qeveri 30-anëtarëshe që përfshinte edhe përfaqësuesit e Hezbollahut.