Ekip
27 Gusht 2020•Përditësim: 27 Gusht 2020
Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune sot lavdëroi qeverinë libiane për ndalimin e luftimeve për të gjetur një zgjidhje politike për konfliktin në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një telefonatë drejtuar kryeministrit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të njohur nga OKB, Fayez al-Sarraj, Tebboune theksoi mbështetjen e vendit të tij për qeverinë dhe popullin libian.
Në një deklaratë, qeveria libiane tha se: "Tebboune vlerësoi deklaratat (nga QPK dhe Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë) që theksojnë zgjidhje politike për krizën libiane dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale sa më shpejtë të jetë e mundur".
Sipas deklaratës, Al-Sarraj shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme algjeriane për sigurinë dhe stabilitetin e Libisë.
Qeveria libiane paralajmëroi sot kryekomandantin libian, Khalifa Haftar kundër sulmeve dhe krimeve të vazhdueshme në qytetet Sirte dhe Taraghin.
Në një deklaratë qeveria libiane shprehu "shqetësimin e saj për raportet që ka marrë nga Sirte që konfirmojnë sulmet ndaj banorëve të qytetit, arrestimet dhe vrasjet e civilëve".
Qeveria paralajmëroi për vazhdimin e shkeljeve dhe krimeve, duke thënë se "nuk do të qëndrojë duarkryq dhe nuk do të lërë pas dore detyrat e saj për mbrojtjen e popullit libian dhe duke kërkuar t'i transferojë ata në mënyrë paqësore në një fazë më të qëndrueshme".
Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e Pajtimit Kombëtar (QPK) u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të një ofensive ushtarake nga forcat besnike të Haftarit.