Mahmut Geldi
14 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
BEJRUT (AA) - Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, po qëndron për një vizitë zyrtare në Rijad, ku me mbretin saudit Salman bin Abdulaziz biseduan për situatën rajonale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mbreti Salman kryediplomatin amerikan Pompeo e priti në pallatin Yemame në Rijad, kurse agjencia saudite e lajmeve (SPA) raportoi se bisedimet ishin të karakterit dypalësh dhe rajonal.
Pas takimit me mbretin Salman, Pompeo u takua edhe me princin e kurorës Muhammed bin Salman.
SPA raportoi se po ashtu edhe princi i kurorës Bin Selman takoi Pompeon në zyrën e pallatit Yemame, ku kanë biseduar për marrëdhëniet strategjike amerikano-saudite dhe përpjekjet e përbashkëta për zgjidhjen e krizave rajonale dhe globale.
Ambasada e SHBA-së në Rijad njoftoi se Pompeo dhe princi i kurorës janë dakorduar për domosdoshmërinë e zgjidhjes gjithpërfshirëse politike të krizës në Jemen si mundësi e vetme për ndalimin e luftës në këtë vend.
Në kuadër të turneut në këtë rajon, Pompeo para mbërritjes në Arabinë Saudite vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Katarin.