Ekip
08 Nëntor 2021•Përditësim: 09 Nëntor 2021
Polonia është duke rritur masat e sigurisë në kufirin me Bjellorusinë, kufirin lindor të Bashkimit Evropian (BE), pas raportimeve se një grup i madh emigrantësh në Bjellorusi po shkojnë drejt një kalimi ndërshtetëror, theksuan sot zyrtarët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Gardës Kufitare polake, Ewelina Szczepanska, tha se prania e rojeve, policisë dhe ushtrisë është rritur në kufi.
Ajo tha se videot e publikuara në internet tregojnë se emigrantët po shkojnë në vendkalimin në Kuznicë, në verilindje të vendit.
Zëdhënësi i Shërbimit të Sigurisë polake, Stanislaw Zaryn, postoi një video në Twitter duke treguar qindra njerëz që lëviznin drejt vendkalimit.
"Informacioni nga kufiri është shumë shqetësues", shtoi Zaryn.
Polonia ka qenë nën presion në rritje nga emigrantët e Lindjes së Mesme dhe Afrika, të cilët po përpiqen të kalojnë në BE që nga vera. Ky shtet i pengon këto përpjekje ose i kthen ata që kalojnë në Bjellorusi.
Varshava dhe BE-ja thonë se ky është një veprim i organizuar nga qeveria bjelloruse që synon destabilizimin e bllokut si një masë hakmarrëse për sanksionet perëndimore.
Roja kufitare polake raportoi "sjellje armiqësore" dhe kërcënime nga forcat bjelloruse ndaj homologëve polakë.