Davit Kachkachishvili
04 Shkurt 2022•Përditësim: 04 Shkurt 2022
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda dhe presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili shprehën të enjten solidaritet me Ukrainën në mes të tensioneve me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duda, rrugës për në kryeqytetin e Kinës, Pekin, mbërriti në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi dhe u takua me presidenten Zourabichvili.
Pas takimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tbilisit, të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë për media rreth tensioneve Rusi-Ukrainë.
“Në këtë situatë shumë të tensionuar, në emër të Gjeorgjisë, dëshiroj të shpreh solidaritetin tonë të plotë me vendin tonë mik”, tha Zourabichvili.
Duke vënë në dukje se kërcënimet aktuale janë në fakt kërcënim për sigurinë e Evropës në tërësi, ajo vazhdoi duke thënë se siguria e Evropës është edhe siguria e Gjeorgjisë.
Presidenti Duda përmendi takimet e tij me liderë të tjerë botërorë për këtë çështje, duke shtuar se kjo nuk është vetëm një çështje që shqetëson Evropën por botën.
"Ne shprehim solidaritetin tonë (me Ukrainën) dhe në përgjithësi, të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë janë shumë të rëndësishme për ne", shtoi ai.
Më vonë, presidenti polak u largua nga Tbilisi për të vizituar Kinën.
Ukraina dhe Rusia janë përfshirë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë.
Rusia raportohet se ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
Moska ka mohuar se po përgatitet për pushtim, duke thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje.