Fatjon Cuka
19 Shkurt 2016•Përditësim: 20 Shkurt 2016
TIRANË (AA) – Është organizuar në ambientet e Akademisë së Sigurisë të Shqipërisë ceremonia e dhënies së certifikatave për përfundimin e trajnimit të efektivëve të Policisë Shqiptare “mbi radikalizmin i cili hap rrugë terrorizmit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky trajnim është organizuar në kuadër të ndihmës që Policia Turke i jep asaj shqiptare për luftën kundër terrorizmit.
Drejtori i Akademisë së Sigurisë në Shqipëri, Bilbil Mema në fjalën e tij në këtë aktivitet dënoi sulmin terrorist në Ankara dhe tha se ky kurs do të jetë shumë i dobishëm për Policinë e Shqipërisë duke parë përvojën e shtetit mik, Turqisë.
Në fjalën e tij zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit Shqiptar, Rebani Jaupi duke dënuar sulmin terrorist të ndodhur në Ankara shprehu kënaqësinë për ndihmën që Policia Turke me përvojën dhe dijen e saj ndihmon efektivët e Policisë së Shqipërisë. ‘’Vitin e kaluar kemi krijuar një drejtori të anti-terrorit e cila varet direkt nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, duke ditur rëndësinë e kësaj fushe. Jemi në ndërtim e sipër të kësaj strukture. Falënderoj lektorët që ishin të pranishëm duke ditur shkallën e lartë të përgatitjes së tyre. Policia Shqiptare ka pasur prej vitesh një ndihmë të vyer nga Policia Turke. Turqia është një vend që ka një përvojë të madhe në luftën kundër terrorizmit. Për ne është një domosdoshmëri të vazhdojmë trajnimin në këtë drejtim’’ u shpreh Jaupi.
I pranishëm në këtë ceremoni zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Cem Baş tha se sulmi terrorist në Ankara tregoi dhe njëherë që terroristët nuk njohin kufij. “Në këtë kuadër është shumë e rëndësishme që ne në këtë luftë të jemi përkrah njëri-tjetrit. Me këtë rast ne kemi realizuar një kurs për parandalimin e radikalizmit i cili hap rrugë terrorizmit”.
Nga ana tjetër zyrtari i Policisë Turke, Ahmet Sula për trajnimin e efektivëve shqiptarë tha se luftën kundër terrorizmit nuk e shohim si një çështje të brendshme, por si një shërbim për të gjithë njerizimin.
“Në luftën kundër terrorizmit duhet të jemi gjithmonë në bashkëpunim. Ne jemi një vend që kemi vuajtur shumë nga terrorizmi dhe atë që kemi vuajtur ne nuk duam që ta vuajnë miqtë tanë’’ tha Sula.
Sipas informacioneve të marra nga Ambasada e Turqisë në Tiranë thuhet se Policia Turke në kuadër të bashkëpunimit me Policinë Shqiptare për trajnimin e personelit të policisë mbi luftën anti-terror brenda një viti pritet të zhvillohen 8 kurse të ndryshme, ku 4 prej tyre pritet të organizohen në Ankara, ndërsa 4 trajnime të tjera në Shqipëri.