Fatjon Cuka
20 Prill 2016•Përditësim: 21 Prill 2016
KUKËS/TIRANË (AA) - Në Drejtorinë e Policisë Vendore në Kukës është zhvilluar sot takimi për nisjen e inspektimit të përbashkët mes agjencive mbikëqyrëse të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Policisës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga njoftimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë mësohet se në këtë ceremoni kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të policisë të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Inspektimi i përbashkët mes Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) të Shqipërisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) realizohet me qëllimin për vlerësimin e efektivitetit dhe efiçencës së patrullimeve të përbashkëta mes dy vendeve.
"Nisja e këtij inspektimi të përbashkët të dy agjencive mbikëqyrëse vjen një javë pas nënshkrimit në Kosovë të protokollit për inspektimin e përbashkët mes drejtuesit të SHÇBA-së Arben Skëndo dhe Kryeshefit të IPK-së, Fitim Shinani. Nënshkrimi i këtij protokolli është bërë në kuadër të aktiviteteve të Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes policore, të nënshkruar nga ministrat e Brendshëm të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në marsin e vitit të kaluar. Synimi i këtij inspektimi është vlerësimi i efektivitetit dhe efiçensës së patrullimeve të përbashkëta"-thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
Në përfundim të takimit, grupet e përbashkëta të inspektimit me punonjës të SHÇBA-së dhe IPK-së kanë inspektuar strukturat e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare të Perëndimit (Kosovë) dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Kukës (Shqipëri).