Bota

"Plani izraelit i aneksimit, një deklaratë lufte"

Ministri i Jashtëm i Palestinës, Riad Al-Maliki, thotë se SHBA nuk është më ndërmjetësi i vetëm për paqen midis palestinezëve dhe izraelitëve

Ekip   | 01.06.2020
"Plani izraelit i aneksimit, një deklaratë lufte"

Gjenevë

Autoriteti Palestinez do të ndërpresë të gjitha marrëveshjet me Izraelin lidhur me planet e saj për të aneksuar një pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar, tha sot Ministri i Jashtëm i Palestinës, Riad Al-Maliki, duke e quajtur veprimin izraelit "një deklaratë lufte ndaj të drejtave të njeriut të palestinezëve", transmeton Anadolu Agency (AA).

"Nuk mund ta pranojmë administratën e SHBA-së si ndërmjetësi i vetëm për paqen midis nesh dhe izraelitëve", theksoi al-Maliki.

"SHBA ka marrë palë dhe ata tani janë duke miratuar plotësisht pozitën e Izraelit. Si rezultat, ju e dini, ata nuk janë më një ndërmjetës i ndershëm", ai shtoi, duke folur në një konferencë për media me përfaqësuesit e shoqatës së korrespondentëve të OKB-së në Gjenevë, ACANU.

Izraeli pritet të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor më 1 korrik, siç u pajtuan Netanyahu dhe Benny Gantz, lideri i aleancës "Kaltër dhe Bardhë".

Plani ka shkaktuar dënim dhe zemërim ndërkombëtar.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, konsiderohet si territor i okupuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë të gjitha vendbanimet hebreje të paligjshme.

Al-Maliki tha se Autoriteti Palestinez kishte pranuar të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB), përfshirë 86 rezoluta të Këshillit të Sigurimit nga Rezoluta 242 në vitin 1967 deri te Rezoluta 2334 në vitin 2016.

"Tani qeveria izraelite e sapokrijuar ka deklaruar hapur dhe zyrtarisht se aneksimi i territorit të Shtetit të Palestinës është prioritet i tij", tha ministri i jashtëm.

"Për të arritur këtë deklaratë lufte për të drejtat e Palestinës, regjimi i okupimit po mbështetet në të ashtuquajturën marrëveshje të shekullit të prezantuar nga administrata aktuale e SHBA-së, të cilën ne e hedhim poshtë në përgjithësi", shtoi Al-Maliki.

Ai gjithashtu tha se Izraeli i cili për vite me radhë "mospërfill dhe minon" të gjitha rezolutat përkatëse të OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe njohjen e paligjshme nga administrata amerikane e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, lëvizjen e ambasadës së saj, pastaj publikimin e të ashtuquajturës "marrëveshje të shekullit", të gjitha këto po "vrasin zgjidhjen me dy shtete".

Duke iu përgjigjur një pyetjeje, Al-Maliki tha se synimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ecur përpara me aneksim është "me të vërtetë për të çliruar veten nga të gjitha akuzat e tjera për korrupsion dhe për akuzat e tjera me të cilat ai po përballet në gjykatat izraelite.

"Kjo është me të vërtetë mënyra e vetme për të shpëtuar jetën e tij, jetën e tij dhe karrierën e tij politike duke ecur para me aneksimin. Kështu që ne po paguajmë një çmim të rëndë për këtë", shtoi ai.

Al-Maliki u pyet nëse ai do të merrte pjesë në bisedime me rusët, me ç'rast tha se "ne i besojmë presidentit Putin".

Ministri i Jashtëm palestinez tha se nëse presidenti Vladimir Putin beson se një takim i tillë "do të prodhojë rezultate të dukshme", ai do t'i thërrasë ata në tryezën e bisedimeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın