Bota

Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në BE është vullnet i përgjithshëm i popullit

"Liberalizimi i vizave do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës të marrin më të mirën e Evropës dhe ta sjellin atë në Kosovë, teksa do ta ofronte Evropën më afër një kapitali të jashtëzakonshëm njerëzor, duke iu referuar rinisë kosovare", tha Osmani

Agim Sulaj  | 13.01.2021 - Përdıtësım : 14.01.2021
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në BE është vullnet i përgjithshëm i popullit Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Prishtinë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së saj në Bruksel u mirëprit në Parlamentin e Belgjikës nga Presidentja e Senatit, Stephanie D'Hose dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Éliane Tillieux, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur nga Presidenca kosovare, Osmani i ka falënderuar Tillieux dhe D’Hose për mbështetjen që Belgjika ka ofruar për Kosovën, duke theksuar rëndësinë që ka partneriteti i të dyja vendeve për finalizimin e procesit të integrimit të Kosovës në familjen Evropiane.

Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje politike, "por mbi të gjitha vullnet i përgjithshëm i popullit më pro-evropian". Duke folur për rëndësinë e sundimit të ligjit, investimit në arsim dhe shëndetësi për zhvillimin e vendit, Osmani tha që Belgjika mbetet një shtet model për Kosovën.

Në këtë takim është diskutuar edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku Osmani ka theksuar se "liberalizimi i vizave do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës të marrin më të mirën e Evropës dhe ta sjellin atë në Kosovë, teksa do ta ofronte Evropën më afër një kapitali të jashtëzakonshëm njerëzor, duke iu referuar rinisë kosovare”.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në avancimin e diplomacisë parlamentare, bashkëpunim ekonomik, si dhe rimëkëmbjen duke investuar në arsim, shëndetësi, mbrojtje të mjedisit, si dhe në avancimin e përfaqësimit gjinor në çdo fushë.

Osmani po qëndron në Bruksel për një vizitë zyrtare dyditore. Ajo dje është takuar me disa zyrtarë tjerë të lartë të BE-së, ndër të cilët edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, e komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.