Ömer Koparan,Levent Tok
01 shkurt 2018•Përditësim: 02 shkurt 2018
AZEZ (AA) - Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS), kanë çliruar nga organizata terroriste PYD/PKK qendrën e qytezës Bulbul, në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit", raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportimeve të gazetarëve të AA-së nga rajoni, elementet e TSK dhe ULS kanë përfunduar me sukses operacionin e nisur në orët e mesdites në qendrën e qytezës Bulbul, në pjesën veriore të Afrinit.
Bulbul u bë qendër-qyteza e parë e çliruar nga PYD/PKK në Afrin, në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit".
Ndërkohë vazhdojnë operacionet në pjesët e tjera të qytezës.
- TSK godet objektivat terroriste
Në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" TSK godasin me obusë të tipit “Stuhia” objektivat e organizatës terroriste PYD/PKK rreth kodrës Darmik, në vijën kufitare Kilis-Hatay.
Tymi i ngritur nga zonat e bombarduara mund të shihet edhe nga Kilisi në Turqi.
Në anën tjetër, trupat në vijën kufitare Kilis-Hatay që nga mëngjesi e deri më tani u përforcuan me personel dhe pajisje ushtarake.
Në ditën e 13-të të operacionit "Dega e Ullirit", 29 pika ndër të cilat 1 qendër të qytezës, 20 fshatra, një vendbanim pranë fshatit, 7 male ose kodra strategjike janë çliruar nga organizata terroriste.
TSK dhe ULS që nga fillimi i operacionit përveç qendrës së qytezës Bulbul, çliruan edhe fshatrat Shengal, Zehran, Bali, Kurni, Hay Oglu, Heftar, Ursa, Bak Ubasi dhe vendbanimin Kurdo të qytezës Bulbul, kurse më pas fshatrat Ayn Batman, Edamanli, Ali Bekki, Bilal Koy, Omer Ushagi, Mamel Ushagi, Sulejman Halil, Sati Shagi dhe Alkana, kodrën e 915-të dhe 740-të e qytezës Raxhu, Kodrën Shejh Hadid dhe fshatin Kara Mitlak në qytezën Shejh Hadid dhe fshatin Hammam, Kodrën Mersides të qytezës Xhinderes dhe kodrën Burseya dhe fshatin Kastel Xhundo të qytezës Sheran.
Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë në një njoftim ka rikujtuar se operacioni "Dega e Ullirit", ka nisur më 20 janar 2018 nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) për ofrimin e sigurisë dhe stabilitetit në kufijtë dhe në rajon, për të neutralizuar terroristët që i përkasin PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH-it në rajonin Afrin në pjesën veriperëndimore të Sirisë si dhe për të shpëtuar nga shtypja dhe persekutimi popullin mik dhe vëllazëror të rajonit.
Në njoftim thuhet se operacioni po zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes legjitime sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.
Në njoftim po ashtu thuhet se në objektiv po merren vetëm strehimoret, pozicionet, depot e armëve dhe pajisjet e terroristëve, duke u treguar çdo kujdes dhe ndjeshmëri që të mos dëmtohen civilët/personat e pafajshëm.