Islam Doğru
19 Mars 2022•Përditësim: 19 Mars 2022
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se ka dërguar konvojin e parë të ndihmës emergjente humanitare në Ukrainë ku vazhdon lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të bërë në emër të Amin Awad, koordinatorit të OKB-së për krizën në Ukrainë, thuhet se ndihmat humanitare janë dërguar në qytetin Sumy i cili është një prej rajoneve më të prekura nga lufta në verilindje të Ukrainës.
Bëhet e ditur se rreth 143 tonë ndihma për 35 mijë njerëz përfshijnë produkte mjekësore, shishe me ujë dhe artikuj ushqimorë bazë.
Në autokolonë përveç produkteve të ndihmës ka edhe pajisje për riparimin e sistemeve të ujit, të cilat do të mbulojnë 50 mijë banorë.
Më tej thuhet se kalimi i sigurt i konvojit të ndihmës së siguruar me kontributin dhe koordinimin e partnerëve të OKB-së është realizuar falë dialogut të suksesshëm të vazhduar mes Ministrive të Mbrojtjes së Ukrainës dhe Federatës Ruse.