Servet Günerigök
10 Shkurt 2022•Përditësim: 10 Shkurt 2022
Vlerësohet se mes 6.000 deri në 10.000 luftëtarë veprojnë nën grupin terrorist DEASH në Irak dhe Siri, theksoi Vladimir Voronkov, zyrtar i Kombeve të Bashkuara (OKB) për luftë kundër terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nënsekretari i Zyrës kundër terrorizmit të OKB-së në një konferencë të Këshillit të Sigurimit tha se grupi ka ruajtur aftësinë e tij për të nisur sulme të reja, duke përfshirë prita dhe vendosjen e bombave anash rrugës në të dy vendet.
"Gjithashtu vazhdoi të sulmojë forcat qeveritare dhe civilët me qëllimin e qartë për të krijuar panik dhe për të rritur presionin mbi autoritetet", tha Voronkov.
Ai paralajmëroi se DEASH është i njohur për aftësinë e tij për t'u rigrupuar dhe madje për të intensifikuar aktivitetet e tij pas humbjeve të mëdha.
"Operacionet antiterroriste mund të jenë të nevojshme, por nevojiten masa gjithëpërfshirëse me një fokus të fortë në parandalimin për të zgjidhur dinamikën që nxit atraksionin e terrorizmit", shtoi Voronkov.
Javën e kaluar, lideri i DEASH-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, humbi jetën pasi hodhi veten në erë gjatë një operacioni të forcave amerikane në veri të Sirisë. Al-Qurayshi, emri i vërtetë i të cilit ishte Amir Muhammad Saeed Abdul Rahman Al-Mawla, mori drejtimin pasi Abu Bakr al-Baghdadi u vra nga SHBA-ja në vitin 2019.
"Ne duhet të fokusohemi në rivendosjen e dinjitetit njerëzor, besimit dhe kohezionit social. Kjo duhet të fillojë me zgjidhjen e situatës së dëshpëruar në kampet për persona të zhvendosur dhe objektet e paraburgimit anembanë Sirisë dhe Irakut", tha zyrtari i OKB-së.