Burak Dağ
03 Shtator 2020•Përditësim: 03 Shtator 2020
Kombet e Bashkuara (OKB) kanë dërguar 65 maunë me ndihma humanitare në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, ku miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë për shkak të konfliktit të brendshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Maunët që transportonin produkte ushqimore kaluan në provincën Idlib përmes portës kufitare Cilvegözü që ndodhet në provincën jugore Hatay të Turqisë.
Rreth 1.625 tonë me furnizime elementare do të shpërndahen midis banorëve të Idlibit dhe zonave të afërta rurale.
Siria është shkatërruar nga lufta civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi sirian i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milion të zhvendosur.
Idlibi bën pjesë në zonën e deeskalimit të parashikuar në një marrëveshje midis Turqisë dhe Rusisë në fund të vitit 2018. Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës.