Beyza Binnur Dönmez
15 Mars 2021•Përditësim: 15 Mars 2021
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 138 protestues, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në Mianmar që nga marrja e pushtetit nga ushtria përmes grusht shtetit më 1 shkurt, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kjo përfshin 38 persona që u vranë dje, shumica në zonën Hlaing Thayer të Yangon-it, ndërsa 18 u vranë të shtunën", tha në një konferencë për media Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
"Ne pamë një fundjavë të mbushur me gjak", shtoi Dujarric.
Ai theksoi se shefi i OKB-së, Antonio Guterres, "dënon me forcë këtrë dhunë të vazhdueshme kundër protestuesve paqësor dhe shkeljen e vazhdueshme të të drejtave themelore të njerëzve në Mianmar".
Dujarric tha se Guterres përsërit thirrjen e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar për të treguar solidaritetin me popullin e Mianmarit dhe aspiratat e tij demokratike.
Pavarësisht nga brutaliteti në rritje i juntës ushtarake, demonstratat kundër grusht shtetit ushtarak nuk kanë hequr dorë.
Mbi 2 mijë persona janë ndaluar në demonstrata deri më tani.