Ömer Faruk Yıldız
26 Nëntor 2021•Përditësim: 27 Nëntor 2021
Administrata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) realizoi një takim për të shqyrtuar situatën e rrezikut të variantit të COVID-19 të emërtuar si B.1.1.529 i cili është shfaqur në Republikën e Afrikës së Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier tha se organizata po "ndjek nga afër" zhvillimet lidhur me variantin e ri të COVID-19.
"Do të nevojiten disa javë për të përcaktuar efektet e variantit të ri dhe nëse është apo jo shqetësues", tha Lindmeier, duke bërë të ditur se varianti i ri ka pësuar shumë mutacione dhe se duhet të kryhen më shumë kërkime për të ndjekur mutacionet.
Përcaktimin e variantit të ri, Lindmeier e ka lidhur me funksionimin e mirë të sistemit të ndjekjes së pandemisë në botë. "Për të parandaluar shfaqjen e varianteve të tilla është e nevojshme që të vaksinohen më shumë persona dhe që të merret çdo masë për të mbrojtur sigurinë tonë shëndetësore", shtoi Lindmeier.
Ai rikujtoi se masat e tilla si vendosja e maskës, distancimi nga mjedise të populluara, higjiena dhe ajrosja ashtu si më parë edhe sot do të jenë efektive kundër virusit.
Super varianti
Shkencëtarët njoftuan se dje në Republikën e Afrikës së Jugut është shfaqur varianti i ri COVID-19. Në të njëjtën kohë varianti i ri i COVID-19 që ka pësuar mutacione të shumta i emërtuar "B.1.1.529" është vërejtur edhe në Botsvana që është fqinj me Afrikën e Jugut.
Lloji i emërtuar "super variant" dhe i cili është vërejtur edhe tek një person që ka udhëtuar nga Afrika e Jugut në Hong Kong thuhet se ka 32 mutacione.
Nuk dihet ende nëse vaksinat aktuale janë apo jo efektive kundër këtij varianti.