Ömer Faruk Yıldız
21 Prill 2022•Përditësim: 22 Prill 2022
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se norma globale e rasteve me COVID-19 ka vazhduar të ulet në muajin e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin javor për përditësimin e COVID-19 që publikon organizata, janë ndarë të dhënat globale të rasteve për periudhën 11-17 prill.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe në mbarë botën janë regjistruar 5.5 milionë raste me COVID-19 ndërsa 18.215 persona kanë humbur jetën për shkak të virusit.
Norma globale e rasteve ka shënuar rënie me 24 për qind në krahasim me një javë më parë dhe rënia në rastet globale ka vazhduar që nga java e fundit e marsit.
Në krahasim me 7 ditët e mëparshme, ulja më e madhe e rasteve është vërejtur në rajonin e Paqësorit Perëndimor dhe 28 për qind ndërsa ulja më e vogël është regjistruar në rajonin e Amerikës Jugore dhe atë Veriore me 2 për qind.
- COVID-19 mund të vendoset nën kontroll këtë vit
Plani strategjik i luftës dhe përgatitjes për t‘i dhënë fund situatës emergjente globale të COVID-19 në vitin 2022, i publikuar nga OBSH-ja më 30 mars, përfshin 3 skenarë mbi evolucionin e virusit.
Në skenarin e parë, parashikohet se do të shfaqen variante të pakta dhe të paefektshme të COVID-19 në mënyrë që pas kësaj nuk do të ketë nevojë për dozat e vaksinave përforcuese.
Në skenarin e dytë, pritet që virusi të vazhdojë të evoluojë, por shkalla e sëmundjeve të rënda pritet të ulet falë vaksinimeve.
Ndërsa skenari i tretë, fokusohet në shfaqjen e varianteve më të rënda dhe infektuese të virusit dhe mbi mundësinë që vaksinat ekzistuese kundër këtij kërcënimi të ri të mos funksionojnë.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus lidhur me Planin e luftës dhe përgatitjes strategjike të organizatës tha se drejt fundit të vitit COVID-19 mund të vendoset plotësisht nën kontroll. Ai ka rekomanduar rritjen e normës së vaksinimit global për realizimin e skenarit më të mirë.