Ekrem Biçeroğlu
23 Dhjetor 2021•Përditësim: 23 Dhjetor 2021
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) njoftoi se për shkak të konflikteve të dhunshme në vitin 2021 janë zhvendosur 150 mijë jemenas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga llogaria në Twitter e UNHCR thuhet se "Familjet në Jemen vazhdojnë të zhvendosen për shkak të konflikteve dhe përkeqësimit të ekonomisë".
Më tej thuhet se në vitin 2021 rreth 150 mijë jemenas kryesisht nga Marib, Taizz dhe Al-Hudaydah kanë mbetur të detyruar të largohen nga vendet ku jetojnë.
"UNHCR dhe partnerët e saj të punës ndihmojnë personat e zhvendosur, me ndihmë në para, me strehim dhe shërbime të mbrojtjes", thuhet në deklaratën në të cilën nuk jepen detaje.
Qeveria legjitime e Jemenit, dje njoftoi se numri i personave të zhvendosur që nga fillimi i luftës e deri më tani është rritur në 4 milionë e 100 mijë.
Lufta e brendshme në Jemen
Në Jemen që nga shtatori i vitit 2014 e deri më tani rebelët Houthi të mbështetur nga Irani mbajnë nën kontroll disa rajone të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Ndërsa forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që nga marsi i vitit 2015 e deri më tani ofrojnë mbështetje për qeverinë e Jemenit kundër rebelëve Houthi.
Në konfliktet që vazhdojnë prej rreth 7 vitesh në vend kanë humbur jetën mbi 233 mijë njerëz. Kriza humanitare që është rritur për shkak të luftës civile në Jemen, i cili ndodhet në mesin e vendeve më të varfra në botë, ka marrë përmasa të tmerrshme.
Sipas OKB-së, në Jemen ku përjetohet një prej krizave më të mëdha të botës, 80 për qind e popullatës prej 30 milionë banorësh ka nevojë për ndihmë humanitare dhe mbrojte.