Bota

"Në Jemen ka mundësi për arritjen e një armëpushimi"

"Jemeni për ne është i rëndësishëm. Atje ka një shkatërrim si pasojë e ndërhyrjes së Iranit", tha ministri i Shtetit përgjegjës për Punët e Jashtme të Arabisë Saudite, Adel Al Jubeir

İdris Okuducu  | 06.12.2019 - Përdıtësım : 06.12.2019
"Në Jemen ka mundësi për arritjen e një armëpushimi"

Stamboll

Ministri i Shtetit përgjegjës për Punët e Jashtme të Arabisë Saudite, Adel Al Jubeir tha se në Jemen ka mundësi për arritjen e një armëpushimi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim të mbajtur në edicionin e pestë të Konferencës ndërkombëtare "Dialogjet Mesdhetare" (MED) në kryeqytetin e Italisë, Romë, Jubeir ka bërë vlerësime lidhur me aktivitetet e Iranit në rajon, luftën në Jemen, krizën e Gjirit si dhe rreth marrëdhënieve të vendit të tij me Izraelin.

Ai ka akuzuar Iranin për mos respektim të sovranitetit të vendeve të tjera dhe ka mbrojtur idenë e tij se qeveria e Teheranit duhet të privohet nga mjetet që përdorin për të kërcënuar rajonin dhe botën.

Lidhur me luftën e brendshme që vazhdon prej 5 vitesh në Jemen, Jubeir tha se "Jemeni për ne është i rëndësishëm. Atje ka një shkatërrim si pasojë e ndërhyrjes së Iranit".

"Në Jemen ka mundësi për arritjen e një armëpushimi dhe më pas të një dakordimi. Në të ardhmen e vendit kanë rol të gjithë qytetarët e Jemenit, përfshirë edhe Huthit", tha ministri saudit duke vënë theksin se zgjidhja politike është alternativa e vetme.

- "(Ndryshimi në krizën e Gjirit) i lidhur me hapat që do të ndërmarrë Katari"

Pas një pyetjeje nëse ka apo jo ndonjë zhvillim në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Katarin në rajonin e Gjirit, Jubeir tha se "Ndryshimi i situatës varet nga hapat që do të ndërmarrë Katari. Edhe qytetarët e Katarit e dinë se cilat janë këto hapa".

Në pyetjen e moderatorit se "A jeni në lidhje të fshehta me Izraelin?" ministri Jubeir u përgjigj: "Nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëdhënie tonën me Izraelin dhe nuk bisedojmë me ata".

Ministrit saudit iu rikujtua edhe vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, ku në lidhje me këtë ai tha se "Arabia Saudite nuk ka vrarë ndonjë qytetar të saj. Këtë krim e kanë kryer disa persona".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.