Adam Abu Bashal,Gökhan Kavak
04 janar 2018•Përditësim: 05 janar 2018
ADAM ABU BASHAL, GÖKHAN KAVAK
ABUXHA (AA) - Pëlhura tradicionale jashtëzakonisht e përhapur në shumë vende të Afrikës dhe në Nigeri e njohur si "ankara", i ka rezistuar kohës.
"Ankara", me dizajnet shumëngjyrëshe, figurat e ndryshme të kafshëve dhe dizajnet me lule është mjaft e përdorur në kontinentin e Afrikës, por ndryshe nga ditët e ndritshme të saj, tani rrezikon të zhduket.
Nigeriani Nasiru Abdullahi, i cili me vite në shitoren e tij shet pëlhurën "ankara", në një bisedë për Anadolu Agency (AA), tha se zanati i pëlhurave tek afrikanët është praktikuar vite më parë, megjithatë me kohë kjo kulturë është zhdukur për shkak të kolonializmit.
“Në periudhën para kolonializmit, këto lloj pëlhurash në Nigeri përgatiteshin duke i thurrur me dorë. Pas ardhjes në Nigeri, britanikët në shumë vende hapën fabrika të pëlhurës 'ankara' dhe në këtë mënyrë paraardhësit tanë ndaluan së thurruri këtë pëlhurë. Pas një kohe, fabrikat e pëlhurave u mbyllën për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe ujit dhe kështu pëlhura ‘ankara’ nisi të importohet nga jashtë”, u shpreh Abdullahi .
Pëlhura "ankara" është zgjedhja e njerëzve nga kërkimi i dorës së vajzave e deri tek ceremonitë e varrimit.
"Ankara", është një nga pëlhurat kryesore të preferuara në jetën e përditshme, por edhe për ditë të veçanta. Ndonjëherë përdoret për ceremoninë e kërkimit të vajzave, ndonjëherë në dasma e ndonjëherë edhe në ceremonitë e varrimit.
“Këtë pëlhurë e përdorim edhe në shtëpi edhe për ditë të veçantë. Nëse një grua dëshiron që të duket mirë në ditët e veçanta si ceremoni syneti apo dhe dasmë dhe të japë një imazh të respektuar, duhet të veshë fustan të bërë nga ‘ankara’. Zgjedhja e ‘ankara’-s nga një grua, perceptohet si shenjë e pjekurisë”, tha klientja Coroline Akijemi për AA.
Në Nigeri "ankara", në Tanzani "kanga" dhe në Etiopi "yebahal libs"
Pëlhura "ankara", nga lindja e deri në perëndim të Afrikës, nga veriu në jug, njihet me emra të ndryshëm.
Pëlhurat shumëngjyrëshe të cilat në Nigeri quhen "ankara", në Tanzani njihen si "kitenge" ose "kanga", në Etiopi "yebahal libs", në Mozambik "capulana" dhe në Sudanin e Jugut si "catangi".
Ndryshe, emri "ankara", në gjuhën Joruba të Nigerisë do të thotë pëlhurë.