Bota

Nga muaji i ardhshëm, pasaporta e vaksinës bëhet e detyrueshme në Uells

Certifikata, e quajtur pasaporta e vaksinës, do të kërkohet nga muaji i ardhshëm para hyrjes në klube, ngjarje në ambiente të mbyllura me më shumë se 500 njerëz dhe ngjarje të jashtme pa ulëse ku marrin pjesë mbi 4.000 persona

Ahmet Gürhan Kartal  | 17.09.2021 - Përdıtësım : 17.09.2021
Nga muaji i ardhshëm, pasaporta e vaksinës bëhet e detyrueshme në Uells

Londër

Njerëzit në Uells do të duhet të paraqesin dëshmi se kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit (COVID-19) para se të hyjnë në ngjarje të mëdha dhe klube nate, njoftoi qeveria lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Certifikata, e quajtur pasaporta e vaksinës, do të kërkohet nga muaji i ardhshëm para hyrjes në klube, ngjarje në ambiente të mbyllura me më shumë se 500 njerëz dhe ngjarje të jashtme pa ulëse ku marrin pjesë mbi 4.000 persona.

“Gjëja e fundit që duam është bllokimi i mëtejshëm dhe që bizneset të detyrohen të mbyllin dyert e tyre edhe një herë”, tha ministri i parë Mark Drakeford në një konferencë shtypi.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të ndërmarrim veprime të vogla por kuptimplota tani, për të kontrolluar përhapjen e virusit dhe për të zvogëluar nevojën për masa më të ashpra më vonë”, tha ai.

Drakeford shtoi se “rastet e koronavirusit janë rritur në nivele shumë të larta gjatë verës pasi më shumë njerëz janë mbledhur dhe takuar”.

“Tragjikisht, më shumë njerëz po vdesin nga ky virus i tmerrshëm”, theksoi lideri uellsian.

Detyrimi për të paraqitur certifikatën e vaksinës para hyrjes në ngjarje të tilla do të hyjë në fuqi më 11 tetor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın