Ali H. M.Abo Rezeg
19 Shkurt 2019•Përditësim: 20 Shkurt 2019
KUDS (AA) - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se Hungaria, vend i cili është pjesë e një numri të vogël të shteteve që lëvizin drejt pozicionit të SHBA-ve duke e konsideruar Kudsin si kryeqytet izraelit, ka vendosur të hapë “zyrën diplomatike” në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pas disa muajsht përpjekjesh, ne kemi arritur diçka shumë të rëndësishme, pasi Hungaria ka vendosur të hapë një zyrë diplomatike në Kuds”, tha Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
“Sllovakia po ashtu vendosi të hapë një qendër kulturore në Kuds, pasi Republika Çeke njoftoi synimin për të hapur Shtëpinë Çeke në qytet”, shtoi Netanyahu.
Vjeshtën e kaluar, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës së vendit të tij nga Tel Avivi në Kuds, por më vonë tha se nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
Në fund të vitit 2017, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ishte udhëheqësi i parë që paralajmëroi njohjen e Kudsit si kryeqytet të vetëshpallur të shtetit hebre, veprim i cili u kundërshtua nga mbarë bota.
Në muajin maj të vitit 2018, SHBA mori vendimin duke zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds.
Ndërkohë, Guatemala ndoqi SHBA-të, duke zhvendosur ambasadën e saj në qytetin e shenjtë.
Kudsi për dekada të gjata mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme, me palestinezët që shpresojnë se Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, një ditë mund të shërbej si kryeqytet i një shteti palestinez.