Abdel Ra'ouf D. A. R. Arnaout,Mahmut Geldi
31 tetor 2022•Përditësim: 31 tetor 2022
Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, marrëveshjen e kufirit detar me Libanin e cilësoi si “dorëzim ndaj Hezbollahut” dhe tha se nëse ai bëhet sërish kryeministër, do ta trajtojë këtë marrëveshje si Marrëveshjen e Oslos, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për radion e ushtrisë izraelite, Netanyahu e përshkroi marrëveshjen e kufirit detar të administratës së Tel Avivit me Libanin si "dorëzim", por nuk premtoi se do të tërhiqej nga marrëveshja nëse do të bëhej sërish kryeministër.
Duke iu drejtuar kryeministrit izraelit Yair Lapid dhe ministrit të Mbrojtjes Benny Gantz, ai tha: "Ata nuk donin të nxirrnin gaz nga deti, tani duan t'i japin gaz me një marrëveshje të dyshimtë dhe befasuese dorëzimi ndaj Hezbollahut".
Netanyahu tha se marrëveshja e kufirit detar me Libanin është një "dorëzim i ri" për Izraelin.
I pyetur se cila do të ishte qasja e partisë së tij ndaj marrëveshjes nëse ai fiton zgjedhjet, Netanyahu tha se në marrëveshjen e gazit me Libanin "qeveria e majtë në Izrael do të shfaqë të njëjtin qëndrim si ndaj Marrëveshjes së Oslos e cila është një tjetër dorëzim".
Edhe pse Netanyahu gjithmonë kundërshtoi Marrëveshjen e Oslos të nënshkruar midis "Organizatës për Çlirimin e Palestinës" dhe Izraelit në vitin 1993, ai nuk bëri asnjë hap për t'u tërhequr nga kjo marrëveshje gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Procesi i vështirë që çoi Izraelin dhe Libanin në marrëveshje
Mes Izraelit dhe Libanit ka një mosmarrëveshje detare prej rreth 860 kilometrash katrorë.
Të dy vendet pretendojnë shelfin kontinental të këtij rajoni. Izraeli pretendon se tre nga 5 blloqet ku qeveria libaneze filloi procesin e licencimit ndodhen në zonën kufitare të shelfit kontinental izraelit. Nga ana tjetër, pala libaneze argumenton se zona e diskutueshme është 2.290 kilometra katrorë.
Negociatat indirekte, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, morën vrull kur Izraeli njoftoi më 5 qershor 2022 se kërkimi dhe nxjerrja e gazit nga fusha e gazit Karish kishte përfunduar.
Pas gati dy vitesh negociata intensive, më 27 tetor 2022 u nënshkrua një marrëveshje për kufirin detar midis Libanit dhe Izraelit.