"Ndotja e mjedisit më vdekjeprurëse se luftërat"
Sipas raportit prej 51 faqesh, në të cilin janë vlerësuar të dhënat nga 188 shtete, nëntë milionë vdekje në vitin 2015 kanë ndodhur si pasojë e ndotjes së mjedisit
New Delhi
NEW DELHI (AA) - Ndotja e mjedisit çdo vit në botë ka shkaktuar më shumë dëme sesa të gjitha luftrat dhe dhuna, ka treguar një raport i publikuar në revistën Lancet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit prej 51 faqesh, në të cilin janë vlerësuar të dhënat nga 188 shtete, nëntë milionë vdekje në vitin 2015 kanë ndodhur si pasojë e ndotjes së mjedisit, ndërsa pothuajse të gjitha këto vdekje kanë ndodhur në shtetet me të ardhura të vogla dhe të mesme.
Sipas raportit, ndotja e mjedisit ka qenë më vdekjeprurëse sesa pirja e duhanit, uria dhe katastrofat natyrore, ndërkohë që në krye të shteteve më të prekura nga ndotja e mjedisit janë Bangladeshi dhe Somalia. Pas tyre radhiten Çadi, Nigeri, India, Nepali, Sudani Jugor, Eritrea, Madagaskari dhe Pakistani.
Raporti poashtu tregon se kostoja financiare e vdekjeve, sëmundjeve dhe nivelit të mirëqenies të shkaktuar nga ndotja e ambientit përkon me 6,2 përqindëshin e ekonomisë globale.
Në raport thuhet se nëntë milionë vdekjet e shkaktuara nga ndotja janë njëfish e gjysmë më shumë se numri i vdekjeve nga pirja e duhanit, trefishë më shumë se numri i personave që humbin jetën nga tuberkulozi dhe malaria, gjashtëfishë më shumë se numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore dhe pesëmbëdhjetëfishë më shumë se vdekjet që shkaktohen nga luftërat dhe incidentet e tjera të dhunës.
Nga ana tjetër, numri më i vogël i vdekjeve si rezultat i ndotjes së mjedisit është vërejtur në Brunei, Suedi, Barbados, Zelandë të Re, Trinidad dhe Tobago, Kanada, Islandë, Bahame dhe Norvegji.
Raporti thotë se vdekjet në fjalë burojnë nga problemet kardiake, sulmi cerebral dhe kanceri në mushkëri, që shkaktohen nga ndotja e mjedisit.
Gjithashtu, në raport theksohet se më të prekurit nga ndotja e mjedisit janë të varfërit, ndërsa theksohet se personat që jetojnë në zona të varfëra në shtetet me nivel të lartë të mirëqenies poashtu janë viktima të ndotjes.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
