Fatma Esma Arslan
17 Gusht 2021•Përditësim: 18 Gusht 2021
Pas rastit të parë të Ebolas, i cili u zbulua për herë të parë në vitin 1994 në Bregun e Fildishtë, filluan të vaksinohen punonjësit e kujdesit shëndetësor që ishin në kontakt me pacientin me virus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në median lokale, 200 punonjës të kujdesit shëndetësor që ishin në kontakt me një pacient i cili ishte karantinuar në një spital në Abidjan, morën 5.000 doza të vaksinës Ebola të dërguara nga vendi fqinj i Guineas.
Thuhet se situata është nën kontroll dhe brenda 72 orëve synohet të vaksinohen 2.000 persona në total.
Pacienti 18-vjeçar, i cili u nis nga Guinea dhe hyri në Abidjan më 11 gusht, të nesërmen u sëmur dhe u shtrua në spital. Më 14 gusht u njoftua se pacienti kishte virusin Ebola.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke paralajmëruar se mund të jetë katastrofike një epidemi e mundshme e Ebolas në Abidjan me një popullsi prej 4 milionë banorë, deklaroi se 5.000 doza të vaksinës së Ebolas të dërguara në Guinea urgjentisht duhet të dërgohen në vend.
Rasti i parë që nga viti 1994
Sipas të dhënave të OBSH-së, nuk është regjistruar asnjë rast i Ebolës në vend që nga viti 1994.
Edhe pse Bregu i Fildishtë kufizohet me Liberinë dhe Guinenë, të cilat përjetuan epidemi serioze të Ebolas në periudhën 2013-2016, nuk kishte raste të Ebolas në vend në atë kohë.
Në janar në Guinea u zbulua një rast me Ebola dhe OBSH-ja shpalli epideminë e dytë të Ebolas në vend për shkak të rritjes së rasteve. Ndërsa epidemia në Guinea përfundoi në qershor ku mori jetën e 12 personave.
Ebola ka marrë jetën e mijëra njerëzve në Afrikë
Virusi Ebola, i cili shkakton një lloj ethe hemorragjike, u shfaq për herë të parë në vitin 1976 në epidemi të njëkohshme në qytetet Nzara në Sudan dhe Yambuku në Republikën Demokratike të Kongos.
Sëmundja u emërua sipas emrit të një lumi sepse epidemia në RD të Kongos u shfaq në një fshat pranë lumit Ebola.
Virusi Ebola ishte përhapur në Afrikën Perëndimore në dhjetor të vitit 2013. Në epideminë gjatë periudhës 2014-2017 në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone, 30 mijë persona u infektuan me virus dhe më shumë se 11 mijë pacientë humbën jetën.