Gökhan Yıldız
30 Korrik 2017•Përditësim: 30 Korrik 2017
STAMBOLL (AA) – Sekretari i Odës Tregtare Turko-gjermane dhe sekretari i përgjithshëm i Dhomës Industriale, Jan Nöther, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thotë se tregtia mes Turqisë dhe Gjermanisë në dhjetë vitet e fundit është duke ecur në një terren jashtëzakonisht të fortë. Ai bëri të ditur se deri në fund të vitit 2016 tregtia mes dy vendeve ka arritur në 37,3 miliardë dollarë.
“Marrëdhëniet ekonomike turko-gjermane janë duke vazhduar për një periudhë mbi 160 vite. Në këtë proces marrëdhëniet mes kompanive turke dhe gjermane mund t’i vlerësojmë si 'familjare’”, thotë Nöther.
Ai shton se Turqia është një treg i gjerë dhe në rritje për kompanitë gjermane, si dhe prag e tregut të shteteve të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore.
“Popullsia e re dhe me arsimim të lartë është një faktor i rëndësishëm i tejkalimit të vështirësive të industrisë. Bashkëpunimi teknologjik, hulumtim-zhvillimi i përbashkët dhe industria janë temat në të cilat duhet të kërkohen zgjidhjet. Më shumë se 90 mijë kompani aktive në Gjermani janë me prejardhje turke. Kjo, së bashku me rritjen e kërkesës së investimeve të Turqisë në Gjermani tregojnë se bashkëpunimi ekonomik është shumë i rëndësishëm edhe në prespektivën e Gjermanisë”, deklaron Nöther.
Siç thotë Jan Nöther, kompanitë gjermani që veprojnë në Turqi janë duke vazhduar me investimet e tyre dhe të njëjtat e vlerësojnë si pozitive të ardhmen e këtij shteti.