Abdullah Aşıran
14 Nëntor 2017•Përditësim: 14 Nëntor 2017
HAGË (AA) - Ministrja e Brendshme e Holandës Kajsa Ollongren tha se vendi i saj po vëzhgohet nga shërbimet inteligjente të Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim Ollongren theksoi se si rezultat i hetimeve nga Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë i Holandës, kanë konstatuar se në vend ndodhen në mënyrë të organizuar elementë të inteligjencës ruse dhe se ata mbledhin informacione mbi sektorë të ndryshëm të shoqërisë për interesat e Rusisë.
Ollongren ka shtuar se elementët e shërbimeve inteligjente ruse krahas operacioneve klasike inteligjente përdorin edhe mjetet dixhitale për të ndikuar me informacione dhe lajme të rreme tek qytetarët e Holandës.
Ajo vuri në dukje se janë të pranishme internet faqe që shkruajnë "lajme të rreme" për të formuar një opinion publik pro-rus. Ministrja Ollongren pretendon se këto internet faqe japin informacione të pavërteta në lidhje me avionin MH17 i cili u rrëzua 40 kilometra pranë kufirit Ukrainë-Rusi tre vite më parë.
Më tej ajo tha se përballë kësaj situate do të zhvillojë takime me disa kompani të mediave dhe teknologjisë për të gjetur zgjidhje se si mund të parandalojnë këto ndikime politike.
Bashkimi Evropian (BE) ditë më parë ka vendosur krijimin e një grupi ekspertësh të nivelit të lartë për të luftuar lajmet e rreme dhe informacionin e rremë në internet.