Anees Suheil Barghouti
07 Shkurt 2018•Përditësim: 07 Shkurt 2018
KUDS (AA) – Një ministër izraelit sot bëri thirrje për ndërtimin e tempullit hebre në vendin e kompleksit Al-Aksa të Kudsit Lindor si shpagim për vrasjen e një koloni izraelit, bëjnë të ditur mediat izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ka ardhur koha për njohjen e së drejtës së hebrenjve në këtë vend dhe ka ardhur koha për të ndërtuar Malin e Tempullit", tha ministri i Bujqësisë, Uri Ariel në funeralin e kolonit, i cili u vra të hënën në një sulm me thikë në Bregun Perëndimor.
Për muslimanët, kompleksi Al-Aksa konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si "Mali i Tempullit", duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohën e lashtë.
Ariel i bëri thirrje qeverisë izraelite të "imponojë sovranitetin e plotë" në territoret palestineze.
"Ne duhet të themi në mënyrë të qartë se do të ketë vetëm një shtet sovran mes Jordanisë dhe Detit Mesdhe, që është shteti i Izraelit me Kudsin e bashkuar si kryeqytetin e tij", tha ai.
Në territoret palestineze janë rritur tensionet pasi presidenti i SHBA-ve Donald Trump më 6 dhjetor vitin e kaluar e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit, duke shkaktuar protesta në vendet e pushtuara dhe përplasje të shumta me trupat izraelite, duke lënë të paktën 25 palestinezë të vdekur.
Qyteti i shenjtë, në të cilin ndodhet Al-Aksa, mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor, aktualisht i pushtuar nga Izraeli, një ditë të mund të bëhet kryeqyteti i shtetit palestinez.