Islam Uddin
02 Korrik 2020•Përditësim: 02 Korrik 2020
Të paktën 162 minatorë kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së tokës në një minierë gurësh të çmuar në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Departamenti i Zjarrfikësit në vend bëri të ditur se fatkeqësia ka ndodhur në një minierë në rrethin Hpakant pas reshjeve të dendura që përfshinë provincën Kachin.
Autoritetet bënë të ditur se krahas 162 minatorëve të vdekur, 54 persona janë shtruar në spitalet e rajonit.
Ndërkaq, në terren po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për punonjësit e bllokuar nën tokë.
Siç raportohet, në minierë po punonin 200 punëtorë.
Më 26 qershor, qeveria e Mianmarit kishte kërkuar një mbyllje tremujore të minierave në Hpakant për shkak të rrëshqitjeve të shpeshta gjatë sezonit të reshjeve. 54 persona kishin humbur jetën në një minierë në prill të vitit të kaluar në të njëjtin rajon si pasojë e rrëshqitjes së tokës.