Bota

Mbretëria e Bashkuar, vendi më pak hezitues ndaj vaksinës COVID-19

Sondazhi i kompanisë së hulumtimit të tregut 'YouGov' zbuloi se vetëm 11 për qind e britanikëve janë hezitues ndaj vaksinës, respektivisht 6 për qind që thanë se do të refuzojnë vaksinën dhe 5 për qind u shprehën të pasigurt

Ekip  | 28.04.2021 - Përdıtësım : 28.04.2021
Mbretëria e Bashkuar, vendi më pak hezitues ndaj vaksinës COVID-19

Londër

Sipas një sondazhi të ri të kryer më 19 dhe 20 prill, britanikët janë më pak hezitues ndaj vaksinës së koronavirusit të ri (COVID-19) nga të gjitha vendet në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sondazhi i kompanisë së hulumtimit të tregut 'YouGov' zbuloi se vetëm 11 për qind e britanikëve janë hezitues ndaj vaksinës, respektivisht 6 për qind që thanë se do të refuzojnë vaksinën dhe 5 për qind u shprehën të pasigurt.

"Kjo është shifra më e ulët në të gjitha vendet që 'YouGov' ka anketuar. Në krahasim me Evropën, e njëjta anketë zbuloi se hezitimi ndaj vaksinës në Francë është 45 për qind, në Gjermani 33 për qind, në Itali 29 për qind dhe në Spanjë 19 për qind", njoftoi 'YouGov'.

Sipas sondazhit, hezitimi ndaj vaksinës në SHBA është 35 për qind, në Indi 22 për qind dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe është 14 për qind.

Kujtojmë se hezitimi ndaj vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë ndjeshëm krahasuar me anketën e parë të kompanisë 'YouGov' në mes të nëntorit të vitit të kaluar.

Në atë kohë, britanikët ishin 39 për qind hezitues ndaj vaksinës, me 15 për qind që thanë se do të refuzojnë vaksinën dhe 24 për qind të cilët u shprehën të pasigurt.

Sondazhi i fundit po ashtu zbuloi se hezitimi ndaj vaksinës ka rënë në të gjithë grupet shoqërore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Qeveria britanike synon që deri në fund të muajit korrik t'u ofrojë të gjithë të rriturve dozat e tyre të para të vaksinave.

Deri më tani, në Mbretërinë e Bashkuar janë administruar mbi 33,8 milionë doza të vaksinës COVID-19, përfshirë mbi 13,2 milionë persona që kanë pranuar dozat e dyta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.