Tayfun Salcı
09 Qershor 2017•Përditësim: 10 Qershor 2017
LONDËR (AA) - Kryeministrja britanike, Theresa May ka deklaruar se do të formojë qeverinë në koalicion me Partinë e Irlandës së Veriut të Unitetit Demokratik (DUP), raporton Anadolu Agency (AA).
Në Britaninë e Madhe dje janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat Partia Konservatore në pushtet humbi shumicën në parlament duke marrë 318 vende. Për të formuar e vetme qeverinë asaj i mungojnë të paktën tetë deputetë.
Kryeministrja sot në pallatin Buckingham, u takua me Mbretëreshën e Britanisë, Elizabeth dhe pas takimit u tha gazetarëve se qeverinë e re së shpejti do të formojë me mbështetjen e opsionit politik DUP e cila në zgjedhejet e djeshme ka fituar dhjetë deputetë.
Lideri i Partisë Liberal Demokratike, e cila dje fitoi 12 mandate, Tim Farron sot tha se kryeministrja May është duke u përpjekur që të formojë koalicionin e "kaosit personal".
Duke akuzuar kryeministren se po rrezikon me të ardhmen e vendit, Farron i bëri thirrje që të japë dorëheqje.
Po ashtu edhe udhëheqësja e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), e cila nga 56 ra në 35 vende në parlament, Nicola Sturgeon gjithashtu ka thënë se kryeministrja May është duke çuar vendin në kaos dhe se ajo është e gatshme të bashkëpunojë me partitë e tjera opozitare për të parandaluar formimin e qeverisë së re konservatore.
Qeveria e Britanisë së Madhe më 19 qershor pritet të fillojë negociatat me Brukselin për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian, kurse kryeministrja May shpalli zgjedhjet e parakohshme me qëllim që të marrë mbështetje më të qëndrueshme në Parlament, por ajo humbi shumicën që kishte dhe tani është duke bërë përpjekje që të formojë qeveri të koalicionit ose qeveri të pakicës.