Ekip
22 Shtator 2021•Përditësim: 23 Shtator 2021
Kryeministri i Marokut, Aziz Akhannouch, ka bërë të ditur se qeveria e re e koalicionit në vend do të përfshijë tre parti politike, përkatësisht Tubimin Kombëtar të të Pavarurve (RNI), Partinë e Autencitetit dhe Modernitetit (PAM) dhe Partinë Istiqlal (PI), transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Akhannouch, i cili po ashtu është sekretar i përgjithshëm i RNI-së, në një konferencë të përbashkët për media me homologët e tij, Abdellatif Wehbe nga PAM-i dhe Nizar Baraka nga PI-ja tha se të "tre partitë do të punojnë për të propozuar emrat e ministrave kompetentë dhe përgjegjës".
Në zgjedhjet e 8 shtatorit, RNI-ja liberale fitoi 102 vende në parlamentin 395-anëtarësh, shifër më e lartë në mesin e partive që kontestuan zgjedhjet. PAM-i u rendit e dyta me 86 vende, pasuar nga PI-ja e qendrës së djathtë me 81 vende në parlament.
Ndërkohë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (PJD), që qeverisi vendin për një kohë të gjatë, fitoi vetëm 13 vende, respektivisht 125 vende më pak nga përbërja e mëparshme e parlamentit.
Më 10 shtator, Mbreti Mohammed VI caktoi Akhannouch-in për të formuar qeverinë e re të vendit.
Në konferencën e tij për media, Akhannouch premtoi se koalicioni qeverisës "do të punojë për të zbatuar programin qeveritar që do të jetë udhërrëfyes për punën e qeverisë".
Nga ana tjetër, Wehbe bëri thirrje për një "qeveri të fortë dhe të harmonishme" që do të synojë plotësimin e aspiratave të popullit të Marokut.
Gjatë ditëve të kaluar, Akhannouch takoi liderët e partive politike të përfaqësuara në parlament në kuadër të konsultimeve për të formuar qeverinë.
Kushtetuta e mbretërisë nuk parashikon një periudhë të caktuar për konsultime për të formuar qeverinë. Megjithatë, çdo formacion koalicioni kërkon miratimin e atyre që fitojnë më shumë se gjysmën e vendeve në parlament.