Ali Murat Alhas
14 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro paralajmëroi themelimin e komisionit special për të hetuar sabotimin që çoi në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në 21 nga 23 provincat në këtë vend të Amerikës së Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).
Venezuela është në errësirë që nga e enjtja e kaluar prej kur nuk punojnë pjesa më e madhe e kompanive publike dhe private, përfshirë edhe institucionet arsimore dhe qendrat tregtare.
Maduro tha se hetimi mbi këtë problem tashmë është në rrjedhë ndërsa komisionin profesional do ta përbëjnë ekspertë nga Irani, Kuba, Rusia dhe Kina.
Maduro pretendon se ndërprerja e rrymës, duke shoqëruar me ndërprerjen e internetit dhe rrjetit të komunikimit në pjesën më të madhe të vendit është pasojë e sabotimit, ndërsa rasti do të zbardhet nga ekspertë të huaj në fushën e sabotazhit kibernetik.
Ai më parë tha se sulmet kibernetike në rrjetin e energjisë së Venezuelës u kryen me teknologji të sofistikuar që i posedon vetëm qeveria e SHBA-ve.
Kina i ka ofruar ndihmë Venezuelës në rindërtimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Venezuela është përfshirë nga protestat që nga 10 janari, kur presidenti Maduro mori betimin për mandatin e dytë pas bojkotit të opozitës.
Tensionet u rritën më tej kur kreu i opozitës Juan Guaido më 23 janar u shpall për shef të përkohshëm të shtetit, mbështetur nga SHBA dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine. Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika mbështesin pushtetin e presidentit venezuelas Maduro.