Recep Şakar
02 Maj 2018•Përditësim: 02 Maj 2018
MELBOURNE (AA) – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i bëri thirrje kryeministrit të Australisë, Malcolm Turnbull për luftë kundër ndryshimeve klimatike dhe kërkoi nga ai të përdorë “forcën e vullnetit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Macron i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Australi i bëri thirrje kryeministrit australian Turnbull që përkundër pengesave që mund të hasë si në parlament ashtu edhe brenda partisë, të luftojë kundër ndryshimeve klimatike duke përdorur “forcën e vullnetit". Ai tha se është në dijeni për diskutimet politike dhe ekonomike në Australi. Ndërsa lidhur me çështjen Macron thotë se ndjen respekt për këtë.
"Sipas meje, liderët e vërtetë janë ata të cilët respektojnë interesat aktuale, por në të njëjtën kohë ata të cilët vendosin që të marrin pjesë në gjëra edhe më strategjike. Nëse nuk veprojmë, shtete të shumta në Paqësor janë në rrezikun e zhdukjes brenda pak vitesh. Nëse vendosim të sakrifikojmë jetën e fëmijëve tanë, sa e mirë mund të jetë kjo jetë? Ky nuk mund të bëhet një opsion", thotë ai.
Në takimin dypalësh Macron-Turnbull, i cili do të zhvillohet në kuadër të kësaj vizite, përveç thellimit të marrëdhënieve nga aspekti ushtarak dhe ai i sigurisë kibernetike, pritet të nënshkruhen edhe marrëveshjet e reja në lidhje me çështjet tregtare.
Kujtojmë se stuhitë e fuqishme kanë shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Stuhia Winston e cila goditi shtetin ishullor Fixhi në muajin shtator të vitit 2016 me një shpejtësi prej 325 kilometra në orë shkaktoi vdekjen e 44 personave ndërsa dhjetëra mijëra persona mbetën pa kulm mbi kokë.