Sena Güler
30 Mars 2018•Përditësim: 30 Mars 2018
PARIS (AA) - Presidenti i Republikës së Francës Emmanuel Macron dje në Paris priti një delegacion të grupit të ashtuquajtur të Forcave Demokratike Siriane (SDF), nën maskën e të cilës në Siri vepron organizata terroriste PYD/PKK, raporton Anadolu Agency (AA).
Pallati Elysee njofton se Presidenti Macron në takim theksoi se Franca mbetet e përkushtuar në luftën kundër organizatës terroriste PKK dhe se mbështet sigurinë e Republikës së Turqisë.
Në njoftim thuhet se delegacioni i SDF-së ka informuar Macron-in për gjendjen humanitare në veri të Sirisë.
Macron gjithashtu ka premtuar mbështje për SDF-në në luftën kundër terroristëve të DEASH-it në Siri dhe shtoi se kjo mbështetje ka të bëjë me krijimin e një zone të sigurtë në verilindje të Sirisë dhe vendosjen e administratës legjitime e cila do të parandalojë rilindjen e DEASH-it në këtë rajon.
Duke theksuar se Franca do të vazhdojë luftën kundër organizatës terroriste PKK dhe mbështet sigurinë e Turqisë, Macron tha se SDF nuk ka lidhje operative me organizatën terroriste.
PYD/PKK është një organizatë terroriste që vepron në veri të Sirisë nën emrin maskues SDF. Turqia thotë se kjo është dega siriane e organizatës terroriste PKK ndërsa SHBA-të besojnë se SDF është një partner i besueshëm në luftën kundër terroristëve të DEASH-it.
Mbështetja e SHBA-ve për terroristët e PYD/PKK është një pengesë në marrëdhëniet SHBA-Turqi.
Presidenti francez Macron shprehu shpresën se Franca mund të ndërmjetësojë dhe të ndihmojë në krijimin e një dialogu midis SDF-së dhe Turqisë.