Mahmoud Mohamed Barakat
06 Janar 2021•Përditësim: 06 Janar 2021
Liderët arabë vazhdojnë të përshëndesin rezultatet e samitit të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (GCC), që u mbajt në qytetin saudit Al-Ula dhe që çoi në pajtimin midis Katarit dhe fqinjëve të tij pas mosmarrëveshjeve që nga viti 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).
Samiti mblodhi së bashku liderët e vendeve anëtare të GCC-së, si dhe Egjiptin, gjatë të cilit ata nënshkruan një dokument që afirmonte unitetin dhe bashkëpunimin e përbashkët midis kombeve.
Në një telefonatë me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti i Irakut, Barham Salih, përshëndeti pajtimin e Gjirit Arab.
Salih theksoi se "nënshkrimi i deklaratës Al-Ula dhe deklaratës përfundimtare të samitit të Gjirit forcon marshimin e GCC-së, si dhe unitetin e Gjirit dhe atij arab në përgjithësi".
Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, tha se samiti i Gjirit krijon një fazë të re të veprimit të përbashkët arab dhe konfirmon se "solidariteti midis vëllezërve është arma më e vlefshme përballë sfidave".
"Ne i japim nderim përpjekjeve dhe mprehtësisë së liderëve të GCC-së për të bashkuar radhët dhe për të tejkaluar dallimet, çfarëdo që janë", shkroi Hariri në rrjetet sociale.
Kreu i Këshillit të Presidencës së qeverisë së Libisë, Fayez al-Sarraj, e përshkroi deklaratën e samitit si "një hap në drejtimin e duhur që çon në ribashkimin arab dhe që kontribuon në mënyrë efektive në arritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Libi, duke u dhënë fund të gjitha ndërhyrjeve negative".
Më tej, al-Sarraj përgëzoi liderët e Gjirit për "këtë arritje të rëndësishme dhe të madhe".
Samiti i Gjirit u mbajt një ditë pasi Kuvajti njoftoi se Arabia Saudite dhe Katari arritën një marrëveshje për rihapjen e kufijve tokësor, ajror dhe detar midis dy vendeve.
Kriza e Gjirit shpërtheu në qershor të vitit 2017, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti vendosën një bllokadë ndaj Katarit, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit, akuza të cilat Katari i mohoi dhe i konsideroi si një përpjekje për minimin e sovranitetit të vendit.