Dilara Hamit
27 Shtator 2019•Përditësim: 29 Shtator 2019
Tetë mercenarë të lidhur me forcat e komandantit ushtarak Khalifa Haftar janë vrarë në Libi, njoftoi qeveria e vendit e njohur ndërkombëtarisht, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mercenarët ishin punonjës në një firmë ruse, thuhet në një deklaratë në media sociale nga operacioni ushtarak i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), Burkan Al-Ghadab (Vullkani i zemërimit).
Në deklaratë theksohet se mercenarët po përgatiteshin për një sulm në kryeqytetin Tripoli.
Paralelisht me këtë, është kapur edhe një grup mercenarësh afrikanë të përdorur nga Haftar.
Në një deklaratë, ministri i Brendshëm i GNA-së, Fathi Bashagha, tha se Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin Haftarin me mercenarë nga firma ruse dhe milicia Janjaweed e Sudanit.
Në prill të këtij viti, Haftar nisi një fushatë për të marrë Tripolin nga GNA.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përleshjet midis dy palëve që atëherë kanë shkaktuar më shumë se 1.000 të vdekur dhe rreth 5.500 të plagosur.
Libia, vend i pasur me naftë, është përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur Muammar Gaddafi, u rrëzua dhe u vra në një kryengritje të mbështetur nga NATO pas disa dekadash në krye të vendit.
Që nga ajo kohë, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, një në lindje, së cilës i është bashkuar edhe Haftar, dhe GNA me qendër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së.