Enes Canlı
07 Maj 2019•Përditësim: 08 Maj 2019
Forcat e armatosura të lidhura me gjeneralin Khalifa Haftar në pjesën lindore të Libisë pretendojnë se në jug të Tripolit kanë rrëzuar një avion luftarak të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga faqja e mediave sociale që i përket forcave të Haftarit, pretendohet se forcat e Haftarit kanë rrëzuar një avion të GNA, i cili synonte të kishte në objektiv rajonin al-Hira në jug të kryeqytetit. Në deklaratë nuk është dhënë ndonjë detaj tjetër përveç pretendimit që "është kapur piloti i avionit dhe që ai është portugez".
Gjithashtu duke mos dhënë informacione në lidhje me llojin e avionit dhe mënyrën e goditjes së tij, në deklaratë është ndarë edhe fotografia e një personi me fytyrë të gjakosur për të cilin pretendohet se është piloti.
Ndërkohë nga GNA nuk ka ardhur ndonjë përgjigje në lidhje me këto pretendime.
Haftar më 4 prill dha urdhër për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli ndërsa pas kësaj njësitë e GNA-së nisën operacionin Burkan el-Gadab.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë në dukje se ka tejkaluar 400 numri i njerëzve që kanë humbur jetën në konfliktet e ashpra të cilat vazhdojnë prej më shumë se një muaji mes trupave të njohura ndërkombëtarisht të GNA-së dhe forcave të Haftarit.