Ekip
19 Nëntor 2019•Përditësim: 19 Nëntor 2019
Të paktën 13 civilë u plagosën në sulmet ajrore të kryera nga forcat lindore të Libisë në qytetin perëndimor Misrata, bëri të ditur sot Qeveria e Pajtimit Kombëtar (QPK) e njohur nga OKB, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat lindore të Libisë, të udhëhequra nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar, theksuan se sulmet synuan depot e armëve në qytet.
"Katër sulme ajrore synuan depot e armëve dhe me sukses goditën objektivat e tyre", tha zyra e mediave të forcave të Haftarit në një deklaratë.
Të hënën, QPK akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për kryerjen e një sulmi ajror në një fabrikë biskotash që vrau 7 persona në jug të Tripolit.
QPK akuzon EBA-të për mbështetjen e sulmit të Haftarit në Tripoli, ku bazohet qeveria e njohur ndërkombëtarisht, akuzë e mohuar nga Abu Dhabi.
Në muajin prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të marrë Tripolin nga QPK e njohur ndërkombëtarisht. Por, deri më tani nuk kanë arritur të avancojnë përtej kufijve të kryeqytetit libian.