Këshilltarët e Trump shprehin "pendesë" për planifikimin e luftës me Iranin
Sipas raportit, disa zyrtarë kyç ishin hezitues ose kërkonin më shumë kohë para nisjes së fushatës ushtarake, ndërsa presidenti Trump në fund e hodhi poshtë hezitimin, duke u shprehur: “Unë thjesht dua ta bëj”
Stamboll
Disa anëtarë të rrethit të ngushtë të presidentit amerikan, Donald Trump, po përjetojnë një lloj “pendese” për vendimin për të hyrë në luftë me Iranin, mes frikës në rritje se administrata mund ta ketë nënvlerësuar qëndrueshmërinë e regjimit iranian, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti nga Axios, disa zyrtarë kyç ishin hezitues ose kërkonin më shumë kohë para nisjes së fushatës ushtarake. Një burim tha se presidenti Trump në fund e hodhi poshtë hezitimin, duke u shprehur: “Unë thjesht dua ta bëj”.
Burimi tha se Trumpi ishte inkurajuar nga sukseset e fundit ushtarake, përfshirë sulmet e verës së kaluar ndaj Iranit dhe kapjen në janar të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro dhe kishte mbivlerësuar aftësinë e tij për të rrëzuar regjimin iranian pa përdorur trupa tokësore.
“Ai ishte i dehur nga suksesi i vet”, tha burimi për Axios.
Raporti theksoi se Trump aktualisht ka rënë në një “kurth përshkallëzimi” në Ngushticën e Hormuzit, ku pala më e fortë ndjehet e detyruar të vazhdojë sulmet për të treguar epërsinë e saj, edhe nëse përfitimet po zvogëlohen.
Një zyrtar i lartë i administratës tha për Axios se ndërhyrja e Iranit në ngushticë po e bën Trumpin “edhe më të vendosur”, në vend që ta shtyjë drejt rishqyrtimit të strategjisë.
Sa i përket afatit kohor, administrata fillimisht kishte parashikuar një operacion që do të zgjaste katër deri në gjashtë javë.
Megjithatë, zyrtarët në Washington dhe në kryeqytetet e vendeve aleate tani po përgatiten për një krizë më të gjatë. Burimet thanw pwr median se përfshirja e SHBA-së mund të vazhdojë deri në shtator, edhe nëse konflikti kalon në një fazë me intensitet më të ulët.
Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit nisën më 28 shkurt dhe deri tani raportohet se kanë vrarë rreth 1.300 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ayatollah Ali Khamenei.
14 ushtarë amerikanë gjithashtu janë vrarë që nga fillimi i fushatës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
